Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, me anë të një deklarate për mediat ka bërë një denoncim ndaj Bashkisë së Vaut të Dejës, duke pretenduar se në këtë bashki po kryhen vjedhje.
Sipas Boçit bëhet fjalë për vjedhje me likuidime projektesh të patenderuara në objekte shëndetësore dhe arsimore.
“Bëhet fjalë për një abuzim në shifrën e 100 milion lekëve, paraqitur si shpenzime për ‘Hartim Projektesh’ për vitin 2020.
Së pari, janë likujduar projekte të patenderuara, një rikonstruksion, plus shtesë, për shkollën 9 vjeçare Hajmel dhe rikontruksion për shkollën Barbullush.
Së dyti, janë marrë në dorëzim projekte të patenderuara, me vlerë rreth 20 milion lekë, objekte qendrash shëndetësore, të cilat janë në fakt në varësi të Ministrisë Shëndetësisë: ndër to qendra shëndetësore Mjedë, e tenderuar nga ministria e linjës me dt. 30 mars 2020.
Së treti, referuar dokumenteve standarde dhe kontratës, projektet duheshin dorëzuar brenda 2 muajve, ndërkohë që janë dorëzuar brenda tri ditësh. Pas dorëzimit në sekretari çuditërisht të nesërmen, me dt 30/6/2020. është bërë edhe likujdimi i plotë
Së katërti, referuar proces-verbalit të marrjes në dorëzim, në të gjitha projektet ka mangësi nga dokumentet e kërkuara në tender.
Së pesti, te shkolla e Mjedës, Bashkia e Vaut të Dejës bëhet “spektakolare”, siç di vetëm mjeshtrat e administratës së Bashkisë: Shkolla, sipas detyrave të projektimit është ndërtuar në vitin 1850 dhe nuk është rikonstruktuar as një herë.
Por “mjeshtrat” nuk ndalen. Ata thonë: shkolla ka 814 nxënës, ku mësojnë 24 klasa. Në në fakt, duke iu referuar Drejtorisë Rajonale Arsimore në Lezhë, shkolla ka 160 nxënës.
I patrembur nga faktet dhe arsyeja, Bashkia e Vaut të Dejës vendos të bëjë rikonstruksion të plotë të shkollës.” tha ai.