Ish-ministrja Sonila Qato sot për më shumë se një orë u mor në pyetje nga SPAK për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, padi e depozituar në vitin 2019. Në dalje, Qato tha se u pyet për rrethanat dhe jo si person në hetim.
“Dhashë detaje për procedurën dhe rrethanat. Procedura e kallëzimit është e rrugës Kardhiq-Delvinë. U pyeta në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes.
Çështja është për shkelje të barazisë në tendera. Ky ishte shkaku i dorëheqjes sime në 2019, për të nxjerrë të vërtetën.
Lejoni prokurorinë, ashtu si unë që të bëjë detyrën e saj” tha ish-drejtoresha e ARRSH-së.
Muajt e fundit kanë qenë shumë intensiv për SPAK-un, që ka marrë në pyetje zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë për disa dosje të bujshme, por asnjë nuk është finalizuar.