Policia e Tiranës ka vënë në pranga shoferin personal të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Mark Frroku. Në pranga ka rënë 38-vjeçari Albert Prendi, pasi në makinën që drejtonte, e cila është në pronësi të Frrokut, i janë gjetur 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka pranuar para uniformave blu se armët janë të tijat. Ndërkohë gjatë momentit të arrestimit, Frroku nuk ka qenë prezent në mjet.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin “Migjeni”, një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: A. P., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thotë Policia e Shtetit.