Samiti inaugurues i Bashkësisë Politike Evropiane, që po mbahet në Pragë të Çekisë, tregon “unitetin” e kontinenti evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kështu deklaroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili njëherësh është ideatori i kësaj bashkësie.
“Synimi, pikë së pari, është që ne të ndajmë pikëpamjet për situatën që po prek Evropën.
Por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”, tha Macron në fillim të samitit, që mbahet në Kështjellën e Pragës.
Në Pragë të Republikës Çeke janë ftuar krerët e 44 shteteve evropiane. Ftesë nuk kanë marrë Rusia dhe Bjellorusia.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se të gjithë liderët pjesëmarrës në këtë samit e shohin pushtimin rus të Ukrainës si veprim të papranueshëm.
“Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Evropë në dekadat e fundit”, tha ai.
“Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, shtoi ai.
Megjithatë, Scholz tha se duhet pasur kujdes që forumi i Bashkësisë Politike Evropiane të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar.
“Nuk ka të bëjë me krijimin e një institucioni të ri që ka administratë dhe burokraci”, tha lideri gjerman.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i drejtohet samitit përmes video-lidhjes, ndërkaq në Pragë po merr pjesë kryeministri ukrainas, Denis Shmyhal.
“Evropa po përballet me krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, por me unitet do ta zgjidhim këtë”, tha kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss.