Qeveria ka nxjerrë për së dyti për konsultim publik projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimin e nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Në draftligj përcaktohet se subjekt i tij janë :a) subjektet që pajisen me licencë, sipas parashikimeve të këtij ligji, të cilët, në rastin e kanabisit për qëllime mjekësore zotërojnë njëkohësisht një licencë tjetër të ngjashme në një vend tjetër të zonës së OECD-së si dhe janë zotërues të GMP (Good Manifacturing Practice/Praktika e mirë e prodhimit), të lëshuar nga EMA (European Medical Agency/Agjencia Europiane e Barnave) ose FDA (Food and Drug Administration/ Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat);
b)Subjektet që pajisen me lejen e kultivimit të cilët ushtrojnë aktivitet si persona juridikë, persona fizikë ose si fermerë. Drafti parashikon ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit, shkruan Monitor. Licenca për ushtrim të aktivitetit të kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore, këtu e në vijim licenca, jepet për një periudhë 15 vjeçare, me të drejtë rinovimi.
Licenca përcakton një ose disa njësi për të cilat subjekti është licencuar. Nëse subjekti licencohet për më shumë se një njësi, ato duhet të jenë kufitare me njëra tjetrën dhe në çdo rast, jo më shumë se katër njësi, në të njëjtën licencë. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar.