Javë më parë dy krerët e shteteve më të forta të BE-së i angazhuan këshilltarët e tyre kryesorë duke i dërguar në Prishtinë e Beograd në përpjekjen e re për të gjetur një zgjidhje.
Tani më Scholz e Macron do të merren edhe personalisht me Kosovën e Serbinë që të parandalojnë së pari edhe një krizë të re kur po afrohet afati për targat por edhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme për dy vendet.
Serbët në veri të Republikës së Kosovës janë duke refuzuar që t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa të RKS.
Afati i vendosur nga Qeveria e që skadon me 31 tetor është kërkuar që të zgjatet, kjo me qëllim të gjetjes së një marrëveshje dhe shmangieve të tensioneve të cilat mund të prolongojnë edhe më tej procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë drejt marrëveshjes finale.
Me qëllim të ecjes përpara drejt normalizimit të raporteve sot në Pragë do të angazhohen edhe krerët e dy shteteve më të fuqishme të BE-së, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Të dy liderët do të zhvillojnë takime të ndara me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksnader Vucic, të cilët po marrin pjesë në takimin përurues të Komitetit Politik Evropian.
Këto takime të tyre vijnë pas vizitës që këshilltarët e tyre kryesorë kanë pasur në Prishtinë dhe Beograd.
Ndërkohë është paralajmëruar edhe një takim i mundshëm i nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel përgjatë muajit tetor. Këtë e ka paralajmëruar dje në Komisionin për Integrime Evropiane, numri dy i Qeverisë, Besnik Bislimi. Megjithatë nga Brukseli kanë thënë se ende s’ka ndonjë datë të caktuar për një takim Kurti-Vuçiq./GazetaExpress