Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar Ministrinë e Financave pasi sipas tij ka shpallur një 380 mijë euro për “shërbime propaganda.
Me anë të një postimi në facebook, Blushi shkruan se në kulmin e krizës ekonomike, kur pedagogët dhe profesorët janë ngritur në protestë për rritjen e pagave të tyre, Ministria e Financave shpall tender me vlerë 380 mijë euro për propagandë mediatike.
Ai i bën thirrje ministrisë ti kaloj fonde për realizimin e kërkesave të pedagogëve.
Postimi i plotë:
Ministria e Financave shpall tender 380 mijë euro për “shërbime propagande”, baraz me pagën e 364 profesorëve.
Në kulmin e krizës ekonomike dhe të rritjes abuzive të çmimeve, kur pedagogët dhe profesorët në të gjithë vendin janë ngritur në protestë për rritjen e pagave të tyre, Ministria e Financave shpall tender me vlerë 380 mijë euro për “shërbime propagande”. (37.500.000 lekë + TVSH)
Ky prokurim publik krejtësisht i panevojshëm, që ka për qëllim të qartë blerjen e heshtjes së mediave për skandalet e pafundme të Qeverisë, rrëzon përtokë pretendimin e gënjeshtërt të Edi Ramës dhe Delina Ibrahimaj se Buxheti i Shtetit nuk ka fonde për rritjen e pagave të profesorëve dhe pedagogëve.
Tenderi 380 mijë euro, baraz me rrogën e 364 profesorëve, (paga mujore e një profesori është rreth 1043 euro në muaj) duhet anuluar menjëherë!
Kaloni këtë fond dhe fonde të tjera tenderash të panevojshëm, që do t’i denoncojmë një për një, për plotësimin e kërkesave të drejta dhe plotësisht të realizueshme të pedagogëve!
Shpenzimet e turpshme për “makiazhin” dhe kurimin e fytyrës së urryer të Qeverisë nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën dhe ministrat e tij nga llogaridhënia!
Për çdo abuzim dhe çdo qindarkë të vjedhur do të përgjigjen para popullit dhe drejtësisë!