Për mosekzekutimin e pagës për muajin shtator, një mësimdhënëse, e cila është në pushimin e lehonisë, ka paditur Komunën e Drenasit.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
“Sapo u njoftova se filluan paditë e para kundër Komunës së Drenasit me rastin e ndalesës së pagave ndaj mësimdhënësve edhe pse ndalesa është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave, mirëpo, mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me Komuna, e aq më keq, në rastin konkret, është ndaluar paga një lehonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Në padinë për kompensimin e pagës, të cilën Lladrovci e ka publikuar, paditësja thotë që pavarësisht deklarimit publik që paga nuk i është ndalur nga kjo komunë, ajo e ushtron të drejtën për padi ndaj Drenasit, si punëdhënës i saj.
Në bazë të Ligjit komunat janë punëdhënësit e punëtorëve, në këtë rast, në sektorin e arsimit. Ministria e Financave është autoriteti që ekzekuton pagat, në bazë të listave të dërguara nga secila komunë.
I pyetur nëse ka ndonjë plan nga komunat për të ushtruar padi ndaj ministrisë së Financave, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë që shpreson dhe beson që kjo nuk do të jetë e domosdoshme.
“Jam shumë optimist që sot do të ekzekutohen pagat dhe që do ketë gëzime në familjet e mësimdhënësve”, tha ai.
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), organizata kjo që ka thirrur grevën, ka paralajmëruar se do ngrehë padi ndaj Qeverisë së Kosovës./REL