Forcat Speciale të RENEA-s mbrëmjen e djeshme rrethuan Shijakun dhe rrethinat e tij. Policia nuk ka dhënë asnjë informacion nëse operacioni ishte i suksesshëm, apo edhe këtë herë doli huq. Në media është folur për disa emra që kanë qenë në shënjestër.
Mes tyre “mbreti” i basteve Ervis Martinaj. Por në krye të listës dyshohet se ka qenë Pëllumb Muharremi, i njohur edhe si Aleksandër Laho me pseudonimin “Rrumi” i Shijakut.
Tre ditë më parë “Rrumi” u shpall në kërkim pasi folën dy vëllezërit, Indrit dhe Gentian Beqiraj. Ai është shpallur në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë.
Dyshohet se Laho organizoi rrëmbimin e dy vëllezërve Beqiraj në autostradën Tiranë-Durrës, pasi këta të fundit po planifikonin ta vrisnin.

Personat e shpallur në kërkim në operacionin “Porositësi”:
Agron Bejdolli 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, 49 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, 42 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale per kryerjen e vrasjes” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale ‘’Vrasja’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, për një tentativë vrasjeje në Belgjikë.