Sërish skena dhune të tmerrshme në futboll. Një person ka humbur jetën në Argjentinë pas kaosit në fushën e futbollit. Ngjarjet e tmerrshme ndodhën në ndeshjen e Boca Juniors ndaj Gimnasia La Plata.
Ndeshja u ndërpre në minutën e nëntë, pasi shumë tifozë vendas u përplasen me policinë, pasi donin të futeshin me çdo kusht në stadium, edhe pse dyert ishin mbyllur.
Shumë prej tyre u dëmtuan, nuk munguan plumbat, gazi lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe dhuna nga ana e forcave policore, situatë që shkaktoi kaos, panik dhe trishtim të madh.
Tifozë në tribuna, për shkak të gazit, u përpoqën të gjenin strehim në mes të fushës ose të gjenin rrugën e shpëtimit nga daljet e stadiumit, të cilat megjithatë u bllokuan për të mos lejuar që njerëzit të hynin pa bileta.
Një 57-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e problemeve të shkaktuara në zemër gjatë represionit policor, një djalë i vogël ka humbur shikimin, teksa është plagosur edhe një kameraman i Tyc Sports.