Një shpërthim i madh ka ndodhur në urën në ngushticën e Kerçit, raportojnë mediat ukrainase, sipas Reuters.
Ura konsiderohet e një rëndësie strategjike, pasi është një rrugë e rëndësishme furnizimi logjistike për forcat ruse në Krime dhe për territoret ukrainase të pushtuara nga rusët, ndërsa në të njëjtën kohë është shfaqur si një simbol i pushtimit rus.
Në fakt, Vladimir Putin e inauguroi personalisht urën, katër vjet pas aneksimit të gadishullit ukrainas nga Rusia. Projekti kushtoi miliarda.
Videot nga zona tregojnë një tren që digjet dhe pjesë të urës që janë shembur. Të paktën dy vagonë hekurudhore të një treni janë përfshirë nga flakët, ndërsa ka tym të fortë të zi.
Njerëzit në zonë thonë se shpërthimi, i cili u dëgjua disa kilometra larg, ndodhi rreth orës 6 të mëngjesit të së shtunës, ndërsa një tren po kalonte urën. Disa imazhe të tjera tregojnë një zjarr të dytë.
Trafiku është ndërprerë në urën hekurudhore, e cila u hap në vitin 2018 dhe është projektuar për të lidhur gadishullin e Krimesë me rrjetin e transportit të Federatës Ruse.