Për këtë shtator, Indeksi i Çmimeve të Konsumit arriti 110,8 kundrejt muajit dhjetor të vitit 2020.
Ndryshimi vjetor në muajin shtator të vitit 2022 është 8,1 për qind, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,5 për qind. Kurse ndryshimi mujor, krahasuar me muajin gusht 2022 është 0,6 për qind.
Kështu ka rezultuar në raportin e fundit nga INSTAT-i.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,91 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,99 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,64 pikë përqindje, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,41 pikë përqindje kurse “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,32 pikë përqindje.
Ndërkaq, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,28 pikë përqindje, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,17 pikë përqindje, ndërsa “Argëtim dhe kulturë” me +0,13 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,11 pikë përqindje, “Shërbimi arsimor” me +0,05 pikë përqindje, “Shëndeti” me +0,04 pikë përqindje dhe “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje.
Krahasuar me shtatorin e kaluar, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 17,2 për qind, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 14,0 për qind.