Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk pranoi që të komentonte zhvillimet brenda PD-së që po tentohet një bashkim përpara zgjedhjeve lokale mes grupit të Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt.
“Problemet e brendshme të PD-së jam përpjekur për t’i zgjidhur në interes të vendit. Kam qenë unë që e nxora nga çadra PD-në, edhe kur u bëra president që ishte një skenar i koordinuar mes Ramës dhe Bashës. Nuk dua të hyj më tej në cështjet e brendshme të PD-së” tha ai.
Por si do i zgjedhë Ilir Meta kandidatët për zgjedhjet lokale?
“Ne do u kërkojmë shqiptarëve të ndëshkojnë kandidatët e Rilindjes. Për këtë shpërdorim që i kanë bërë pushtetit vendor që e kanë pasur 100% të tyre me kryetarë dhe këshilla.
Ndëshkim për këtë gjithë këtë katastrofë menaxhimi të pushtetit vendor. Vetëm Rilindja urbane janë mbi 2 mld euro të investuara dhe të paktën 700 mln euro të vjedhura. Cdo forcë politike do të punojë dhe testohet për këshillat” tha ai.
Ai kërkoi edhe njëherë që qeveria të heqë dorë nga amnistia fiskale. “Ne nuk kemi ende një administratë tatimore dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit dhe njëkohësisht duhet një kornizë efektive në luftën kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit.
Do të goditej biznesi i ndershëm dhe do dekurajoheshin investimet e huaja në Shqipëri. Do të minojë besimin e shoqërisë te shteti i së drejtës dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale” tha ai.