Ish-Presidenti Ilir Meta shpalli sot objektivin për zgjedhjet lokale të vitit tjetër. Ai tha se fokusi nuk do të jetë te kandidatët për kryetar bashkie por te këshillat bashkiakë.
“Objektivi ynë janë këshillat dhe parlamenti më i rëndësishëm vendor do jetë ai i Tiranës, se ky i 25 prillit. Do të dëgjohet fuqishëm zëri i qytetarëve të Tiranës” tha Meta.
Megjithatë, kryetari i partisë së Lirisë nuk e mohoi se mund të ketë emra kandidatësh për kryetarë nga forca e tij politike. “Nëse do të ketë ndonjë që do të më bindë do ta mbështes” tha ai.
Aleancën për t’i hapur rrugën Partisë së Lirisë në listën e këshilltarëve e konfirmoi pak ditë më parë edhe vetë Sali Berisha.
“Me Metën kemi rënë dakord që ai do të përqendrohet thuajse 100% tek këshillat dhe do mbështesë kandidatët tanë. Aleatët tjerë duan një testim shtesë dhe ne jemi dakord” tha Berisha.