Ashtu sikurse e kishte lajmëruar më herët kreu i PD-së, Sali Berisha, aksioni i opozitës do të jetë në disa drejtime. Krahas përgatitjeve për zgjedhjet lokale, Berisha është shprehur se do të ketë edhe protesta dhe greva.
Tubimi i parë për këtë sesion të ri duket se do të nisë nga Elbasani. Partia Demokratike në këtë qytet ka njoftuar protestë në qendër të qytetit kundër rritjes abuzive të çmimit të naftës.
“Partia Demokratike, dega Elbasan, do të nisë nga kjo e martë protestat kundër qeverisë. Pas rritjes abuzive të çmimit të karburanteve nga Bordi i Transparencës, PD-ja, dega Elbasan, do të organizojë një protestë për 60 minuta ditën e martë 11/10/2022, në ora 11:00, në sheshin ‘Gensher’ në qendër të Elbasanit”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, kryedemokrati Berisha ftoi qytetarët që të reagojnë kundër çdo padrejtësie të qeverisë. Duket se është në të njëjtën linjë me kryetarin e PL-së, Ilir Meta, i cili gjithashtu është shprehur se kjo kohë do të shoqërohet me protesta dhe zgjedhje.