Deputetja e PD-së, Ina Zhupa thirri në interpelancë ministren e Arsimit, Evis Kushi për të dhënë shpjegime për mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif” dhe kopshtin jopublik “Zubeyde Hanim”.
Opozita akuzon se pas vendimit qëndron presioni i presidentit turk Erdogan për mbylljen e institucioneve arsimore pjesë fondacionit “Gulen”. Ministrja u qëndroi deklarimeve të mëparshme se kopshti dhe kolegji nuk plotësonin kushtet.
“Të gjithë nxënësit janë të sistemuar. Nga 150 nxënës të kolegjit, të gjithë janë transferuar. 103 janë transferuar te “Turgut Ozal” Durrës, 51 në “Turgut Ozal” në Tiranë dhe të tjerët në gjimnaz në Tiranë, Korçë dhe Bilisht.
Nuk iu cenua e drejta për arsim dhe po vijojnë normalisht mësimin. Shteti nuk është PS që hidhni baltë, shteti janë institucionet, njerëzit dhe profesionistët.
Në lidhje me arsyet ligjore. Sa i takon shkollës “Mehmet Akif” ndryshoi vendin pa marrë miratimin nga MAS, që bie në kundërshtim me ligjin.
Ky institucion i çoi dy shkresa ministrisë, që nuk u miratuan pasi pas inspektimit rezulton mos respektimi i standardeve ligjore higjeno sanitare, ndriçimi, palestra dhe mjetet për edukimin fizik.
Situata është e ngjashme edhe për kopshtin. Dy herë është kryer inspektim në kopsht dhe prandaj u kërkua heqja e licencës. Ligji do të zbatohet për të gjithë” tha ministrja.