Ukraina tha më 12 tetor se ka çliruar pesë vendbanime të tjera në rajonin jugor të Hersonit, ndërsa forcat e saj të armatosura vazhduan kundërsulmet e tyre, pavarësisht sulmeve raketore ruse që goditën vendin gjatë dy ditëve të fundit.
“Armiku vazhdon të bombardojë pozicionet e njësive tona për të penguar kundërsulmin përgjatë gjithë linjës së kontaktit”, thuhet në njoftimin e presidencës ukrainase.
Ushtria e Ukrainës më 9 tetor tha se trupat e saj kishin rimarr rreth 1.200 kilometra katrorë territor në rajonin jugor të Hersonit nga forcat ruse, që nga fillimi i kundërofensivës në fund të gushtit.
Ndërkohë, Rusia vazhdoi të godasë rajonin Zaporizhja të Ukrainës dhe qytetin me të njëjtin emër më 12 tetor, tha sekretari i Këshillit të qytetit, Anatoliy Kurtev.
Zaporizhja, që ndodhet mjaft afër vijës së frontit midis forcave ruse dhe ukrainase, është goditur vazhdimisht me sulme shpesh vdekjeprurëse gjatë javëve të fundit.
Më 9 tetor, raketat e lëshuara nga forcat ushtarake ruse përgjatë natës, kanë lënë të vdekur 17 persona.
Zaporizhja është sulmuar me armë të rënda edhe më 6 tetor, si pasojë e të cilave kanë vdekur 11 njerëz.
Zaporizhja është aneksuar javën e kaluar nga Rusia, hap që është konsideruar në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL