Shefi i zjarrfikësve të Tiranës, Arben Cara në një komunikim për mediat foli për ngjarjen e ndodhur në Tiranë, pasi zjarri masiv shkrumboi kompleksin “Arlis” pranë QSUT në Tiranë.
“Jemi angazhuar masivisht me forcat e Policisë së Shtetit dhe forcat civile, me të gjitha kapacitetet që kemi për të bërë të mundur lokalizimin e flakëve, të cilat tashmë i kemi nën kontroll.
Është ende shumë herët për të thënë që zjarri është fikur, pasi po punohet në të gjitha drejtimet për të lokalizuar vatrat e zjarrit që ndodhen brenda banesave.
Tirana është e angazhuar e gjitha me të gjitha kapacitetet e saj. Mbi 50 zjarrfikës janë nga Bashkia e Tiranës, kemi zjarrfikës nga Vora dhe Kamza, si dhe zjarrfikës të ushtrisë.
Pasi kemi marrë nga salla e drejtorisë lajmin për zjarrin, unë kam komunikuar drejtpërdrejt me drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme”, u shpreh Cara.









