Kur duhen edhe dy muaj që t’i mbarojë mandati, teksa gara për pasuesin është hapur, kreu i SPAK vijon takimet dhe konferencat jashtë vendit duke u “krenuar” me arritjet për sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive të krimit.
Së fundmi Arben Kraja ishte në Mal të Zi ku mori pjesë në Konferencën e Dytë Rajonale me tematikë “Rikuperim Efektiv i Aseteve në Përputhje me Standardet Evropiane” mbajtur në Podgoricë.
SPAK thotë se qëllimi i këtij projekti ishte të inkurajojë bashkëpunimin rajonal përmes krijimit të një rrjeti rajonal të profesionistëve të rikuperimit të aseteve që mbështesin negociatat midis juridiksioneve për marrëveshje gjithëpërfshirëse dypalëshe dhe shumëpalëshe për ndarjen e aseteve dhe kapacitetet e vazhdueshme.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja sipas njoftimit për shtyp prezantoi eksperiencën dhe rezultatet e punës së autoriteteve ligjzbatuese në Shqipëri në fushën e identifikimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, si dhe vënien në dispozicion të këtyre pasurive për rritjen e kapaciteteve të punës së institucioneve ligjzbatuese.
Arben Kraja po e mbyll mandatin në krye të SPAK me një bilanc aspak sipas pritshmërive, të shqiptarëve, por edhe vetë ndërkombëtarëve. “Peshqit” e mëdhenj janë akoma jashtë.