Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se Moska do të mbyllë korridoret e krijuara për eksportin e grurit ukrainas nëse ato përdoren për të kryer “sulme terroriste”.
“Nëse rezulton se korridoret humanitare përdoren për sulme terroriste, kjo do ta vërë në pikëpyetje marrëveshjen e grurit”, u tha Putin gazetarëve në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
Putin të premten sugjeroi një lidhje midis korridoreve të sigurta dhe sulmit të fundit në urën Kerç në Krime, duke pretenduar se është e mundur që eksplozivët për sulmin të ishin dërguar nga deti nga Odesa.
Që nga korriku, anijet që transportonin grurë nga portet ukrainase në Odesa janë lejuar të lundrojnë në një korridor të sigurt përmes Detit të Zi, si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja midis Kievit dhe Moskës pas pesë muajsh bllokadë ruse.
Marrëveshja do të përfundojë në nëntor.