Shoqata e Invalidëve të Punës ka protestuar sot në Tiranë përpara ministrisë së Financave. Shoqata me përfaqësues nga i gjithë vendi kërkoi mbajtjen e premtimeve dhe indeksimin për rritjen e çmimeve në këtë periudhë krize.
“Kemi ardhur për të drejtat tona të mohuara. Jemi përjashtuar nga rimbursimi i energjisë elektrike. Është premtuar 5 mijë lekëshi, që në 2008 na është mohuar.
Ministria e Financave nuk ka pranuar të dëgjojë asnjëherë sugjerimet tona dhe të ulet në dialog. Ne që jemi punuar në miniera, askush nuk e mendon se çfarë kemi hequr.
Ne kemi kërkuar mbi 12 shkresa dhe e fundit ka qenë 20 shtator. Akoma asnjë përgjigje. 1 mijë lekëshi për ndihmën e paaftësisë është premtuar që në 2013 dhe deri tani asgjë.
Këtyre të Financave si nuk u vjen zor, u rimbusruan disa kompani që nuk i kanë kryer shërbimet, po ne që kemi kontribuar, a nuk ju vjen zor?
Po siguracionet tona? Po rimbursimi i ilaçeve?” tha kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri.
Më pas kryetari i shoqatës i vendosi ultimatum ministrisë. “Në 20 nëntor ne nuk presim më për të drejtat tona. Pas një muaji do të jemi 10-fish më shumë.
Do të vijmë me karroca dhe krevatë këtu. Nuk kam gjë me qeverinë, por këta burokratët këtu te ministria e Financave” tha ai.