Një ditë pas marrjes në pyetje të sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçi, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi shprehet se ai është arkitekti i masakrës financiare prej gjysmë miliard euro, inceneratorët.
Deputeti deklaron se janë 9 akuzat që rëndojnë mbi të. Ai kërkon që thirrja në SPAK të mos jetë hi në sytë e medias dhe opinionit, por ora kur përgjegjësit të fillojnë të japin llogari.
“Engjëll Agaçi u shfaq dje në dyert e Prokurorisë së Posaçme – SPAK. Agaci ka përgjegjësitë e tij, të cilat nuk janë të pakta. Akuzat ndaj tij janë plot 9 dhe po i listojmë më poshtë:
1. “Shpërdorim i Detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal
2. “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal
3. “Fshehja e te ardhurave” parashikuar në nenin 180 të Kodit Penal
4. “Mospagimi i Taksave”, parashikuar në nenin 181 të Kodit Penal
5. “Moskryerja e detyrave nga organet Tatimore”, parashikuar në nenin 181/a të Kodit Penal
6. “Përfitim i Paligjshëm i interesave”, parashikuar në nenin 257 të Kodit Penal
7. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të Lartë Shtetërorë” ose të Zgjedhurve Vendorë”, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal
8. “Pastrimi Produkteve të veprës penale”, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal
9. “Moskallëzim Krimi, parashikuar në nenin 300 të Kodit Penal
Shpresojmë që thirrja e tij në SPAK të mos jetë një vizitë rikonjicioni, për t’i hedhur hi syve medias dhe opinionit, por ora kur përgjegjësit të fillojnë të japin llogari” tha ai.