Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se në 70 për qind të institucioneve të arsimit fillor dhe të mesëm nuk është mbajtur mësimi këtë të shtune.
“Kjo është vlerësuar në takimin e jashtëzakonshëm që SBASHK-u ka mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal të cilët kanë raportuar lidhur me gjendjen e sotme në komunat e tyre”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet të mbajë takim urgjent me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, të Këshillit të Prindërve dhe të SBASHK-ut për të arritur marrëveshje për cështjen orëve të humbura në grevë.
“Nëse nuk veprohet kështu , atëherë do të kemi situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”, pohon komunikata.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së përgjithshme e thirrur nga Sindikata e Pavarur e Kosovës, si në arsim ashtu edhe në administratën shtetërore.
Nga 25 gushti deri më 1 tetor, mësimdhënësit ishin në grevë duke kërkuar shtesa nga 100 euro në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.
Greva u pezullua pa marrëveshje me Qeverinë.
Ministrja vendosi për zëvendësim të orëve duke ndryshuar kalendarin shkollor.
Megjithatë, me të s’u pajtuan as nga SBAShK-u, as prindërit e as komunat.
Ata po refuzojnë që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera.