Numri i të vdekurve pas një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën veriore Bartin të Turqisë të premten ka arritur në 41.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar deklaratën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Më herët, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se 58 nga 110 personat që punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi u shpëtuan nga ekipet ose dolën vetë.
Soylu tha gjithashtu se një minator u lirua nga spitali ndërsa 10 ishin ende duke marrë trajtim në Bartin dhe Stamboll.
Ndërtimi i ngjarjes
Rreth 49 persona, po punonin në zonën e rrezikshme midis 300 dhe 350 metra nën tokë, tha Soylu për mediat turke.
Raportohet nga ana tjetër se rreth 100 persona ishin në minierën në kohën e shpërthimit.
Gjysma e tyre, ndodheshin në afërsi të vendngjarjes, në 300 metra thellësi.
Shkaqet e shpërthimit nuk dihen ende, ndërsa Prokuroria turke ka nisur hetimet.
Ministri i Energjisë i Turqisë, tha se kishte indikacione fillestare se shpërthimi ishte shkaktuar nga një shkëndijë në një pellg gazi metan.
Një punëtor i mbijetuar shpjegonte situatën, duke thënë se kishte shumë pluhur dhe tym dhe nuk e kuptuan se çfarë ndodhi.