Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë disa postime ditën e sotme në mbështetje të protestës së pedagogëve që kërkojnë rritje page. Sot, në ditën e parë të vitit të ri akademik, pedagogët pas prezantimit deri në orën 10:00 me studentët kanë bojkotuar mësimin duke dalë në protestë. Bojkoti, sipas tyre do të vazhdojë pa afat, shoqëruar me protestë.
“Sukses i plotë i grevës së përgjithshme të Universiteteve të vendit! Nderim për pedagoget, punonjësit dhe studentët e Universiteteve, që me thirrjen e sindikatave të tyre i dhanë përgjigjen më të merituar cinizmi, arrogancës dhe vjedhjeve të Edi Ramës dhe qeverise së tij hajdute” shkruan Berisha.
Pedagogët kërkojnë rritjen e pagave me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër. Por qeveria ka vendosur një rritje vetëm 7%. Rezistenca dhe lufta e nervave vazhdon. Rreth 120 mijë studentë nisën sot vitin e ri akademik 2022-2023, në të dyja ciklet e studimit Bachelor dhe Master.
19 mijë studentë janë ulur për herë të parë në auditore për të ndjekur studimet Bachelor. Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve nga institucionet publiku, me rreth 27% të totalit. Rritjen më të madhe të regjistrimeve e ka pasur universiteti i mjekësisë i cili për këtë vit rrit kuotat e pranimit në degën mjekësi e përgjithshme.