Kërcënon ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Gjykata e ka lënë në burg duke mos i pranuar sërish kërkesën për ndryshim mase.
I arrestuar 10 muaj më parë për inceneratorin e Elbasanit dhe më pas akuzat u rënduan me impiantin e Fierit, Lefter Koka sot përmes avokatit kërcënoi se do të flasë.
Avokati i tij, Julian Mërtiri u shpreh se janë bërë 9 seanca dhe drejtësia nuk e ka liruar Kokën, edhe pse sipas tij është në gjendje të rëndë.
Avokati tha më tej, se nëse në datë 7 nëntor nuk do të lirohet do të kërkohet gjykimi i çështjes sa më shpejt në themel dhe aty, po sipas tij, Lefter Koka do të thotë të vërtetat e tij. Mesazhi kërcënues ishte i qartë.
“Sot ishte kërkesa e dytë për zëvendësimin e masës së sigurimit, ai është në kushte të rënduara shëndetësore. Gjendja e tij nuk mund të vazhdojë në paraburgim, por gjykata mori edhe rolin e mjekut dhe ekspertëve dhe vendosi të rrëzonte kërkesën. Kemi 9 seanca për një vendimmarrje. Seanca e radhës është në 7 nëntor.
Në këto kushte, do të kërkojmë që cështja të shkojë në gjyq në themel. I vetmi person që u ndalua në shtëpinë e tij, e priti me qetësi hetimin, por janë më shumë se 10 muaj, në ato kushte ai sot do të ishte i lirë.
Është i sëmurë, por gjallë dhe do të japë mbrojtjen e tij. Do të dëgjoni fakte dhe argumente që nuk i keni dëgjuar deri tani” tha ai. Pak ditë më parë për aferën u lirua ish-deputeti Alqi Bllako dhe i vetmi nga “kokat” që po qëndron në qeli është ish-ministri Lefter Koka, që i ka sosur durimi duke paralajmëruar.