Një burim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ka thënë se sa i përkët çështjes së liberalizimit të vizave, Kosova nuk është duke u trajtuar ndryshe nga shtetet e tjera që kanë marrë liberalizimin e vizave kohëve të fundit dhe kanë specifikuar se diskutimet në Bruksel janë duke vazhduar.
Kosova nuk trajtohet ndryshe nga vendet tjera që kanë përfituar kohët e fundit nga liberalizimi i vizave. Diskutimet po vazhdojnë në Bruksel”, ka thënë për Express një burim nga MPJ e Francës.
Gjithashtu ky burim nga “Quai d’Orsay” ka theksuar se në deklaratën e përbashkët me Gjermaninë dhe Poloninë është dhënë mbështetje për liberalizimin e vizave dhe njihet përpjekja e Republikës së Kosovës për liberalizim vizash.
Ky burim nga Parisi ka thënë se përmes komunikatës së lëshuar nga „Trëkëndëshi i Weimarit“ theksohet përkushtimi i Francës për Ballkanin Perëndimor i cili kohëve të fundit po tregohet edhe përmes mbështetjes për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë nga niveli më i lartë politik i Francës.
Pas takimit të fundit të Grupit Punues për viza ka pasur raportime në media se Franca e përkrahur nga disa shtete të tjera po e kushtëzon heqjen e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Për këtë çështje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadorin e Francës në Prishtinë, ku edhe ka kërkuar të mos ndërlidhet vendimi politik i shteteve anëtare me sistemin ETIAS.
Nga Komisioni Evropian ndërkohë kanë thënë se sistemi ETIAS pritet të funksionalizohet në nëntor 2023./GazetaExpress