Sot nis viti i ri akademik 2022-2023, ku 19 400 studentë ulen për herë të parë në auditore. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, pedagogët në Tiranë kanë bojkotuar mësimin.
Pas një prezantimi me studentët e viteve të para, pedagogët kanë dalë nga auditorët. Kjo pasi ata po protestojnë ndaj kushteve ku punojnë dhe pagave që marrin. Vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, nuk është paralajmëruar për bojkot të mësimit.
Në Fakultetin e Ekonomisë tek “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Fakulteti i Biznesit në Durrës dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe ai i Mjekësisë në Tiranë, pedagogët kanë dalë në protestë në oborret e fakulteteve.
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, krah pedagogëve, ka patur edhe studentë që kanë dalë në protestë.
Kujtojmë se, pedagogët kanë bërë një listë me 9 kërkesa për të cilën thonë se afati për të negociuar tashmë ka kaluar. një nga pikat që këmbëngulin më tepër është rritja e pagës me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër.
KËRKESAT E PEDAGOGËVE
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.