Kushtëzimet e reja për liberalizimin e vizave për Kosovën, të iniciuara nga Franca, mund të mos kalojnë në Këshillin e Bashkimit Evropian, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev.
Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.
ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bechev thotë se kërkesa franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën, tash për tash, duhet të shihet vetëm si propozim.
“Këshilli (i BE-së) mund ta modifikojë në mënyrë dramatike propozimin”, thotë ai.
Në takimin e 13 tetorit u shqyrtua raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian, që konfirmon përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.
Nëse do të kishte pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë ambasadorët e këtyre vendeve do ta bartnin përgjegjësinë te Parlamenti Evropian, Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian, për nisjen e bisedimeve trepalëshe në lidhje me këtë çështje.
Meqë nuk kishte pajtim, diskutimet do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të BE-së më 9 nëntor, ndërsa, deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime ndërmjet vete./REL