Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar sanksione ndaj Iranit për shkak të dronëve të prodhuar nga Irani të furnizuar Rusisë dhe të përdorur në sulmet ndaj Ukrainës, ka thënë presidenca çeke e Këshillit të BE-së.
Masat ndëshkuese të BE-së pritet të hyjnë në fuqi më vonë të enjten ndërkohë shefi i Këshillit Evropian Charles Michel e përshëndeti masën ndërsa përgatitet të presë 27 liderët e BE-së në një samit në Bruksel këtë javë.
“Pas 3 ditësh bisedime, ambasadorët e BE-së ranë dakord për masat kundër subjekteve që furnizojnë dronët iranianë që goditën Ukrainën. Shtetet e BE-së vendosën të ngrijnë asetet e 3 individëve dhe 1 entiteti përgjegjës për dërgesat me drone. BE-ja është gjithashtu e përgatitur të zgjerojë sanksionet ndaj 4 entiteteve të tjera iraniane që tashmë janë paraqitur në listën e mëparshme të sanksioneve”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri çek Petr Fiala tha se sanksionet kishin për qëllim personat dhe subjektet që prodhojnë dhe furnizojnë dronët.
“Kjo është përgjigja jonë e qartë ndaj regjimit iranian që i siguron Rusisë drone, të cilët i përdor për të vrarë qytetarët e pafajshëm ukrainas,” tha ai.
Britania e ka dënuar gjithashtu vendimin e Iranit për të furnizuar dronë dhe trajnime për Rusinë, dhe sekretari i jashtëm britanik James Cleverly pritej të bënte një njoftim më vonë të enjten për marrjen e masave duke përdorur regjimin e sanksioneve të Britanisë në lidhje me dronët iranianë, tha zyra e jashtme.
“Furnizimi me drone nga Irani është në kundërshtim me rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është dëshmi e mëtejshme e rolit që luan Irani në minimin e sigurisë globale”, tha një zëdhënës i zyrës së jashtme./ Aljazeera