Dy persona u arrestuan sot në Elbasan pasi u zbulua një bazë armatimesh në lagjen “Gurabardhi”. Të arrestuarit janë Luis Gaxhi dhe Rigers Spahiu. Ky i fundit akuzohet për përkrahje të pronarit banesës ku u gjetën armët dhe bombat.
Rigers Spahiu,37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i cili akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” është vëllai i Arjan Spahiut, i ekzekutuar në Bruksel në nëntor 2020.
Arjan Spahiu dyshohet se u ekzekutua si pasojë e larjes së hesapeve mes bandave për konfliktet e nisura në Elbasan dhe që vijuan më pas në rrugët e Europës.
Rigersi dhe Arjani janë vëllezërit e kunatit të Erion Alibejt, i arrestuar nga prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të dy vrasjeve.
Drejtori i Policisë së Elbasanit, Ardian Çipa tha se “ka indicie se armët dhe minat e telekomanduara do të përdoreshin për ekzekutimin e personave, për llogari të grupeve kriminale të evidentuara nga ana e Policisë” por nuk dha detaje se konkretisht kush ishte në shënjestër.
Në banesën e Luis Gaxhit, u gjetën:
• 4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë;
• 3 pistoleta me silenciatorë;
• 2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare;
• Kapsolla detonatore;
• Një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”;
• 4 aparate celulare;
• Sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindshpues.