-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kristyna Foltynova: Si po mbyllen dyert për rusët

Kryesoret

Këshilli i Bashkimit Evropian pezulloi më 9 shtator plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Ky hap ishte pjesë e sanksioneve kundër shtetit rus, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Rrjedhimisht, udhëtimi në BE u bë më i vështirë dhe më i kushtueshëm për turistët rusë.

Disa shtete të Evropës lindore, baltike dhe nordike sugjeruan miratimin e ndalimit të plotë të vizave. Marrë parasysh situatën aktuale, thanë ato, turistët rusë nuk duhet të lejohen ta vizitojnë Evropën pa asnjë kufizim. Por, BE-ja ishte e ndarë në këtë pikë.

Disa vende, si Estonia dhe Lituania, vendosën ta kufizojnë hyrjen e qytetarëve rusë në nivel kombëtar. Të tjera, si Letonia dhe Finlanda, thanë se nuk do t’i strehojnë rusët që ikin nga mobilizimi ushtarak.

BE-ja, në fund, vendosi t’i shtrëngojë më shumë rregullat për viza, në përgjigje ndaj numrit në rritje të rusëve që përpiqen të hyjnë në bllok.

Sipas të dhënave të publikuara nga agjencia e pavarur e sondazheve në Rusi, Levada, numri i rusëve që udhëtojnë jashtë vendit, ka qenë në rritje të vazhdueshme gjatë dekadave të fundit.

Në vitin 1996, 16 për qind e të anketuarve kanë thënë se kanë qenë jashtë vendit. Deri në vitin 2022, kjo shifër është rritur në 41 për qind. Përqindja më e lartë është regjistruar në Moskë – 62 për qind – dhe në qytete me më shumë se 500.000 banorë – 45 për qind.

Në vitin 2019, Turqia ka qenë destinacioni kryesor për rusët. Atë vit janë regjistruar gati 7 milionë udhëtime. Rusët, gjithashtu, kanë bërë më shumë se 16 milionë udhëtime në vendet e Bashkimit Evropian. Finlanda, Estonia dhe Gjermania kanë qenë destinacionet kryesore.

Për të udhëtuar në BE, rusët duhet të aplikojnë për vizë për qëndrim të shkurtër. Nëse vendi ku ata udhëtojnë, është anëtar i zonës Schengen, ata aplikojnë për vizë Schengen për qëndrim të shkurtër. Atyre u duhet një formular aplikimi, pasaporta, itinerari dhe dokumente të tjera, ashtu si edhe një takim për vizë në një nga konsullatat e Schengenit në Rusi.

Pesë anëtare të BE-së – Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Irlanda dhe Rumania – nuk janë anëtare të Schengenit dhe, për këtë arsye, nuk mund të lëshojnë viza për gjithë zonën. Kërkesat për vizë janë të ngjashme, por viza është e vlefshme vetëm për vendin që e lëshon atë.

Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra nuk janë anëtare të BE-së, por janë anëtare të zonës Schengen. Prandaj, ato mund të lëshojnë viza për gjithë zonën.

Viza Schengen për qëndrim të shkurtër, e cila është viza më e zakonshme për Evropën, mund të lëshohet nga 25 vende.

Në periudhën 2012-2021, nga konsullatat e vendeve anëtare të Schengenit në të gjithë botën janë lëshuar afro 123 milionë viza për qëndrim të shkurtër Schengen.

Gati 38 milionë (ose rreth 30 për qind) prej tyre janë lëshuar në konsullatat në Rusi – shumë më tepër se në çdo vend tjetër gjatë së njëjtës periudhë kohore. Konsullatat në Kinë, për shembull, kanë lëshuar rreth 14 për qind të të gjitha vizave Schengen.

Në periudhën 2014-2021, në mbarë botën janë lëshuar 4 milionë viza të tjera për të hyrë në Bullgari, Kroaci dhe Rumani. Gati gjysma e tyre janë lëshuar në Rusi. Megjithatë, këto viza nuk i lejojnë poseduesit e tyre ta vizitojnë zonën Schengen.

Numri më i madh i vizave Schengen, të lëshuara në Rusi, është dhënë në vitin 2013 – gati 7 milionë. Numri më i ulët ka qenë në vitin 2016 – gati 3.5 milionë. Madje më pak – rreth 600.000 – janë lëshuar më 2020 dhe 2021, kryesisht për shkak të kufizimeve në udhëtim që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Vizat Schengen për qëndrim të shkurtër mund të lëshohen për një hyrje të vetme ose për hyrje të shumëfishta.

Poseduesit e vizave me një hyrje mund të hyjnë një herë në zonën Schengen dhe duhet të marrin vizë të re për udhëtimin e radhës, ndërsa poseduesit e vizave me shumë hyrje mund të hyjnë dhe dalin nga zona Schengen sa herë të duan.

Rregulli 90/180, i cili u lejon poseduesve të kalojnë deri në 90 ditë në zonë brenda çdo periudhe 180-ditore, zbatohet gjithmonë.

Globalisht, numri i vizave me hyrje të shumëfishta është rritur nga 42 për qind në vitin 2012 në 59 për qind më 2019 dhe 72 për qind më 2021.

Vizat e lëshuara në konsullatat në Rusi kanë pasur tendencën e njëjtë, por mbi mesataren botërore.

Në vitin 2012, rreth gjysma e vizave të lëshuara në Rusi kanë qenë me hyrje të shumëfishta. Numri i tyre ka tejkaluar 80 për qind në vitin 2016 dhe ka arritur pothuajse në 88 për qind më 2021.

Fakti që vizat me hyrje të shumëfishta zakonisht jepen pas marrjes dhe përdorimit të disa vizave me një hyrje, sugjeron se aplikuesit për viza në konsullatat në Rusi janë udhëtarë të shpeshtë dhe jo të rastësishëm.

Vizat Schengen janë në përgjithësi të vlefshme për të gjitha vendet në zonën Schengen. Megjithatë, vizitorët duhet ta kenë parasysh se ata duhet të aplikojnë në konsullatën e vendit që synojnë ta vizitojnë.

Mes viteve 2012 dhe 2021, Finlanda ka qenë destinacioni kryesor i atyre që kanë aplikuar për viza Schengen në konsullatat në Rusi, e ndjekur nga Spanja dhe Greqia.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, më shumë se 1.36 milion rusë kanë hyrë ligjërisht në zonën Schengen, përmes kufijve tokësorë – kryesisht përmes Finlandës dhe Estonisë. (Këto të dhëna janë deri më 5 tetor). Më shumë se 1.31 milion rusë, ndërkaq, janë kthyer në Rusi përmes kufijve tokësorë me BE-në.

Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, këta njerëz kanë gjetur rrugë alternative të udhëtimit, për shkak të lidhjeve të kufizuara ajrore.

Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur mobilizimin ushtarak më 21 shtator, numri i hyrjeve në kufirin tokësor të BE-së është rritur për 30 për qind (gjatë javës 19-25 shtator krahasuar me javën e mëparshme), tregojnë të dhënat e Frontex-it.

Edhe në Google janë shtuar kërkimet për mënyrat e largimit nga Rusia, ndërsa ka pasur raporte edhe për rritjen e numrit të biletave njëdrejtimëshe. Frontex ka parashikuar se do të ketë rritje të kalimeve të paligjshme të kufirit, si dhe të qëndrimeve të paligjshme.

Opinionet nëse turistëve rusë duhet t’iu ndalohet hyrja në BE, janë ende të ndara. Shfaqja e mbështetjes për Ukrainën, zvogëlimi i kërcënimeve të sigurisë dhe ushtrimi i presionit më të madh ndaj Moskës janë ndër argumentet kryesore për ndalimin e tyre. Nga ana tjetër, ata që argumentojnë kundër ndalimit, përmendin nevojën për t’i ndihmuar njerëzit që ikin nga Rusia dhe një dëshirë për të mos kontribuar në propagandën anti-perëndimore të Kremlinit.

Deri më 19 shtator, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë kufizuar gati plotësisht kalimet kufitare të rusëve me viza Schengen.

Në gusht, Finlanda ka njoftuar se do t’i reduktojë vizat për rusë për 90 për qind dhe më vonë ka mbyllur kufirin e saj, për shkak të zhvillimeve të fundit – me vetëm disa përjashtime.

Pjesa e fundit e mbetur e kufirit tokësor të Rusisë me zonën Schengen, në Norvegji, tani ruhet me forca të shtuara të sigurisë dhe gjithashtu mund të mbyllet në të ardhmen.

Vendet e tjera, si Republika Çeke dhe Sllovakia, kanë thënë se nuk do të lëshojnë viza humanitare për rusët që përpiqen të shmangin mobilizimin.

Pas raportimeve për mijëra rusë që ikin në Gjeorgji, Kazakistan dhe vende të tjera fqinje, edhe ambasadat gjermane në rajon kanë raportuar për rritje të kërkesave për viza. Megjithatë, sipas udhëzimeve të fundit të BE-së, vendet anëtare nuk duhet të pranojnë aplikime për viza nga rusët në një vend të tretë – gjë që zvogëlon më shumë dritaren e mundësive për të hyrë në BE.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit