-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Zbulohet dokumenti/ Ja ‘drafti gjerman’ për Asociacionin e Komunave

Kryesoret

Një propozim i qarqeve perëndimore për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është duke qarkulluar me titullin “drafti gjerman”.

KOHA ka siguruar qasje në këtë dokument. 

Sipas nenit të parë, Asociacioni është entitet i ligjshëm i krijuar në përputhje me Ligjin e Ratifikimit të Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Kosovës.

Neni 1.

Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë është një entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Ligjin e Ratifikimit të Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Statuti i Asociacionit/Bashkësisë është akti më i lartë ligjor i Asociacionit/Bashkësisë.
Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues që është i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Asociacionit/Bashkësisë është trup përgjegjës për amandamentimet e statutit. Gjitha amandamentimet e statutit do të bëhen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Amandamentimet e statutit duhet të miratohen nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet një akti ligjor në përputhje me Kushtetutën. Nëse shihet e nevojshme, Qeveria do të rishikojë në mënyrë kushtetuese çdo amandament të prodhuar nga Kuvendi i Asociacionit, vlerësimi i cilit do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese.
Asociacioni/Bashkësia përbëhet nga dhjetë komuna (Lista e Komunave) dhe përfaqëson interesat e tyre dhe të banorëve të tyre. Anëtarësia në Asociacion/Bashkësi është vullnetare. Procedurat për shtim të anëtarëve, largim nga anëtarësia apo shpërbërje të Asociacionit/Bashkësisë janë të definuar nga ky Statut.

Neni 2

Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë janë autoritete të komunave pjesëmarrëse.
Emrat zyrtarë të entitetit ligjor janë: “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë”, “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe “Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë”. Të tre emrat zyrtarë i referohen entitetit ligjor të krijuar nga ky Statut. Në tekstin e mëtutjeshëm, emërtimi Asociacion/Bashkësi nënkupton të gjitha apo ndonjë nga emrat zyrtarë. Trupat zyrtarë të Kosovës apo përfaqësuesit e Asociacionit/Bashkësisë kanë të drejtë t’i referohen kësaj në cilindo nga tre emrat.
Aktivitetet e Asociacionit/Bashkësisë janë të bazuara në parimet e pjesëmarrjes vullnetare të anëtarëve të saj, nga demokracia e avancuar dhe nga qeverisja lokale, e nga respektimi i dispozitave të mbrojtjes dhe përfaqësimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve që është e bazuar në Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës.
Autoritetet komunale i bashkohen Asociacionit/Bashkësisë në bazë të një vendimi nga Kuvendet Komunale në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë vendimmarrjen e këtij trupi komunal. Në procesin e bashkimit të këtij Asociacioni/Statuti, secili anëtar duhet ta miratojë Statutin e vet.
Anëtarët e Asociacionit/Komunave kanë të drejtën të pushojnë anëtarësinë e tyre. Vendimi për t’iu larguar Asociacionit/Bashkësisë duhet të merret nga Kuvendi Komunal i komunës përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë vendimmarrjen e këtij trupi komunal. Një komunë që largohet nga Asociacioni/Bashkësia mund të vendosë të rikthehet si anëtare nëpërmjet procedurave të specifikuara në pikën 4 më lartë.
Asociacioni/Bashkësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër me kusht që anëtarët janë në pajtim. Vendimi për të pranuar një anëtar të ri të Asociacionit/Bashkësisë do të merret me 2/3 e delegatëve të Asamblesë.
Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet me vendim të Asamblesë së vetë me një shumicë prej 2/3 e anëtarëve, siç vendoset nga kryetarët përkatës të komunave.
Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë kanë të drejtë të përjashtojnë një apo më shumë komuna nga anëtarësia nëpërmjet një vendimi të marrë nga Asambleja e vetë me një shumicë prej 2/3 të anëtarëve.
Asociacioni/Bashkësia duhet të ketë simbolet e veta zyrtare, përfshirë stemën dhe një flamur, që do të dizajnohet nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Selia e Asociacionit/Komunave do të përcaktohet nga Asambleja e vet.
Asociacioni/Bashkësia ka të drejtën për llogaritë e veta bankare dhe ka të drejtën për pronë dhe të angazhohet në transaksione financiare.

II. Objektivat e Asociacionit/Bashkësisë

Neni 3

Në përputhje me Marrëveshjen e Parë të Ratifikuar dhe Kushtetutën, Asociacioni/Bashkësia ka objektiva kryesore për të ofruar funksione publike dhe shërbime:

a. Forcimin e demokracisë lokale. Asociacioni/Bashkësia ushtron këtë funksion duke ndihmuar bashkëpunimin në mesin e komunave pjesëmarrëse, duke përkrahur komunat pjesëmarrëse në krijimin e politikave që avancojnë praktikat demokratike, financim dhe promovim të aktiviteteve që avancojnë pjesëmarrjen civile dhe praktikat demokratike, dhe përfaqësojnë interesa lidhur me demokracinë lokale me autoritetet qendrore.

b. Ushtron mbikëqyrje të plotë për zhvillim të ekonomisë lokale. Asociacioni/Bashkësia ushtron këtë funksion duke ndihmuar bashkëpunimin mes komunave pjesëmarrëse, duke i përkrakur ato në krijimin e projekteve, politikave dhe masave që zhvillojnë ekonomitë e tyre lokale apo ndihmojnë në angazhimin e resurseve financiare dhe humane që kanë të bëjnë me shërbimet ekonomike, financimin dhe promovimin e aktiviteteve pqë të ngritur zhvillimin ekonomik, investimin dhe lidhjen biznesore, dhe përfaqësimin e interesave të komunave pjesëmarrëse dhe akterëve ekonomikë në territoret e tyre në lidhje me autoritetet qendrore, dhe me shtetet tjera e operatorët ekonomikë në rajon dhe përtej, përfshirë me ata nga Republika e Serbisë. Për të ushtruar këto funksione, Asiociacioni/Bashkësia duhet rregullisht të pranojë dokumente të prodhuara nga autoritetet ekonomike, financiare e buxhetore të komunave pjesëmarrëse dhe duhet të ketë të drejtë të kërkojë informata shtesë relevante për ushtrimin e këtij funksioni, nga komunat tjera pjesëmarrëse. Po ashtu ka të drejtë për të kërkuar informatë zyrtare nga autoritetet qendrore në lidhje me ushtrimin e këtyre funksioneve.

c. Ushtron mbikëqyrje të plotë në fushën e edukimit. Asociacioni/Bashkësia plotëson këtë objektivë nëpërmjet ushtrimit të funksioneve si në vijim:

Duke ndihmuar bashkëpunimin mes anëtarëve për qëllimin e avancimit të standardeve të edukimit në nivel lokal.
Përfaqësimin e interesave të anëtarëve dhe banorëve të saj në politikat e edukimit me autoritetet qendrore.
Ushtron hulumtimin dhe përcjelljen e trendit të edukimit në mesin e anëtarëve, në Kosovë dhe jashtë, dhe ofron udhëzime për të avancuar standardet e arsimit, politikat dhe hulumtimin në këtë fushë.
Ofron përkrahje ligjore, shkencore, financiare dhe administrative për anëtarët në implementimin e kompetencave të tyre në fushën e edukimit, përfshirë edukimin e nivelit të lartë siç ofrohet me ligj.
Ofron rol këshillues tek autoritetet qendrore dhe tek ato të komunave pjesëmarrëse sa i përket zhvillimit të edukimit në gjuhën serbe në përputhje me ligjet.
Financon iniciativa të lidhura me edukimin – përfshirë bursat, trajnime në mësimdhënie, grante hulumtimi, zgjidhje në fushën e IT-së, shkëmbime akadmike, programe verore dhe tjera – për përfitim të zhvillimit edukativ në mesin e komunave pjesëmarrëse.
Financim të projekteve të ndërtimit dhe infrastrukturës të lidhura me dispozitat e edukimit në mesin e komunave pjesëmarrëse, si dhe ofron përkrahje financiare për mirëmjatje të edukimit dhe infrastrukturave të lidhura me këtë (sallat sportive, laboratoret e informatikës, etj.).
Ndihmon dhe/apo financion transportin dhe shpërndarjen e librave shkollor të lidhura me edukimin në gjuhën serbe sipas kurrikulës së Kosovës në përputhje me ligjin. Asambleja/Bashkësia do të ofrojë shërbimin e njëjtë për kurrikulën e Kosovës për edukim në gjuhën shqipe dhe në gjuhat tjera nëse ka nevojë nga grupet tjera të banorëve në komunat përkatëse.
Bashkëvepron me palët tjera, përfshirë autoritetet e edukimit të Republikës së Serbisë, për përmbushje të kësaj objektive.
Ofron këshilla për autoritetet qendrore në amandamentime të lidhura me legjislacion të edukimit

2. Për kryerjen e funksioneve të lartcekura, Asociacioni/Bashkësia duhet të pranojë rregullisht dokumente nga autoritetet e edukimit të komunave pjesëmarrëse dhe ka të drejtë të kërkojë informata shtesë të lidhura me kryerjen e këtij funksioni nga komunat pjesëmarrëse. Po ashtu ka të drejtë të kërkojë informatë zyrtare për të kërkuar informata zyrtare nga autoritet qendrore, informata që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.

3. Në kryerjen e mbikëqyrjes së plotë në fushën e edukimit, Asociacioni/Bashkësia duhet plotësisht t’i përmbahet Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse të Republikës së Kosovës. Rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, të kufizuar në sigurimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjin, siç është e specifikuar me nenin 124.7 të Kushtetutës, duhet të aplikojë “mutatis mutandis” (pasi të bëhen ndryshimet e nevojshme) në lidhje me vendimet e Asociacionit/Komunave.

d. Ushtron mbikëqyrje të plotë për të përmirësuar kujdesin primar, sekondar shëndetësor dhe atë social. Asociacioni/Bashkësia plotëson këtë objektivë nëpërmjet ushtrimit të funksioneve si në vijim:

Ndihmon bashkëpunimin mes anëtarëve për qëllimin e avancimit të kujdesit shëndetësor primar, sekondar dhe mirëqenies sociale në nivel lokal.
Përfaqëson interesat e politikave shëndetësore e sociale të anëtarëve të saj dhe banorëve me autoritetet qendrore.
Kryen hulumtim dhe përcjellë trendët e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në mesin e anëtarëve të saj, në Kosovë dhe jashtë, dhe ofron udhëzime për të avancuar dispozitat, politikat dhe hulumtimet shëndetësore e sociale.
Ofron përkrahje ligjore, shkencore, financiare dhe administrative për anëtarët e sajë në implementimin e kompetencave të tyre në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, siç ofrohet me ligj.
Ofron rol këshillues për autoritetet qendrore dhe të komunave pjesëmarrëse në lidhje me çdo nevojë specifike shëndetësore e të mirëqenies sociale për nevojat e banorëve.
Financon dhe ndihmon në ndërtimin e kapaciteteve dhe stërvitjen profesionale të stafit shëndetësorë të komunave pjesëmarrëse, për përfitim të përmirësimit të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në mesin e komunave pjesëmarrëse.
Financon projektet e ndërtimit dhe infrastrukturore të lidhura me dispozitat e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në mesin e komunave. Asambleja/Bashkësia po ashtu ofron përkrahje financiare për mirëmbajtjet e lidhura me infrastrukturën (si palestra sportive, laboratorë kompjuterike, etj.).
Financon banimin social në komunat pjesëmarrëse, duke respektuar diversitetin etnik të popullatës së saj.
Financon objektet, pajisjet dhe materialet shpenzuese të lidhura me çdo nevojë specifike shëndetësore dhe të mirëqenies sociale në komunat pjesëmarrëse, si ato të lidhura me dispozitat e shëndetësisë mobile, personat me aftësi të kufizuara, apo të shtëpisë së pleqve.
Financon dhe/apo mbledh fonde për përkrahje të mirëqenies sociale të banorëve të komunave pjesëmarrëse, duke respektuar diversitetin etnik.
Promovon, ndihmon dhe financon fushatat e vetëdijesimit të shëndetit publik dhe masat për përmirësim të standardeve të shëndetit publik, tjera nga ato që ofrohen rregullisht nga autoritetet shëndetësore sipas ligjeve relevante.
Në kohëra të pandemisë apo të krizave shëndetësore, Asociacioni/Bashkësia përkrah implementimin e masave të shëndetit publik të caktuara nga Qeveria nga komunat pjesëmarrëse.
Në kohët e pandemisë apo në rast nevoje, financon dhe/apo ndihmon dispozitat e mjekësisë dhe pajisjeve mjekësore për nevojat e banorëve të komunave pjesëmarrëse.
Bashkëvepron me palët tjera, përfshirë autoritetet shëndetësore dhe ato të mirëqenies sociale të Republikës së Serbisë, për plotësim të kësaj objektive.
Financon blerjen e pajisjeve të specializuara mjekësore siç mund të jetë e nevojshme për komunat pjesëmarrëse dhe vendos pajisjet e blerja te menaxhmenti i institucioneve të ligjshme shëndetësore.
Këshillon autoritetet shëndetësore në kushtet e shëndetësisë publike primare dhe sekondare dhe mirëqenies sociale në komunat pjesëmarrëse, si dhe në kushtet e amendamentit të legjislacionit të komunave në fushën e shëndetësisë primare, sekondare dhe të mirëqenies sociale.

4. Për ushtrimin e funksioneve të definuara më lartë, Asociacioni/Bashkësia duhet të pranojë rregullisht dokumente të prodhuara nga autoritetet shëndetësore dhe të mirëqenies sociale të komunave pjesëmarrëse dhe duhet të ketë të drejtën të kërkojë informata shtesë nga komunat pjesëmarrëse në lidhje me ushtrimin e këtyre funksioneve. Po ashtu duhet të ketë të drejtë të kërkojë informata zyrtare nga autoritetet qendrore në lidhje me ushtrimin e këtyre funksioneve.

5. Në ushtrimin e mbikëqyrjes së plotë në fushën e kujdesit shëndetësor primar dhe sekondar dhe në atë të mirëqenies sociale, Asociacioni/Bashkësia duhet plotësisht të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, të limituara për sigurimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet, siç parashihet me nenin 124.7 të Kushtetutës, duhet të aplikojë “mutatis Mutandis” në lidhje me vendimet e Asociacionit/Bashkësisë.

e. Ushtron mbikëqyrje të plotë të koordinimit të planifikimit urban dhe rural. Asociacioni/Bashkësia përmbush këtë objektivë nëpërmjet ushtrimit të funksioneve si në vijim:

Ndihmon bashkëpunimin në mesin e anëtarëve për qëllimin e planifikimit ndërkomunal urban dhe rural.
Përfaqëson interesant e komunave pjesëmarrëse me autoritetet qendrore sa i përket planifikimit ndërkomunal urban dhe rural.
Kryen hulumtim dhe forma tjera të përkrahjes teknike për komunat pjesëmarrëse në aplikimin e tyre për kompetencat ligjore në planifikimin urban dhe rural.
Ofron ndihmë ligjore, shkencore, financiare dhe administrative për anëtarët e vetë në implementimin e kompetencave të tyre në fushën e kompetencave të tyre ligjore në planifikim urban dhe rural.
Financon dhe/apo ndihmon programet e ndërtimit të kapaciteteve në fushën e planifikimit urban apo rural.
Ofron këshilla për autoritetet qendrore në lidhje me projektet e infrastrukturës ndërkomunale të lidhura me komunat pjesëmarrëse.
Ofron udhëzime për komunat pjesëmarrëse në lidhje me kompetencat ligjore në zhvillimin urban dhe hartat zonale.
Ofron udhëzime dhe përkrahje për komunat pjesëmarrëse në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Ofron këshilla për autoritetet qendrore në amendamentin e legjislacionit të komunave në lidhje me planifikimin urban dhe rural.

6. Për të ushtruar funksionet si më lartë, Asociacioni/Bashkësia duhet rregullisht të pranojë dokumente nga autoritetet e komunave pjesëmarrëse në lidhje me planifikimin urban dhe rural dhe duhet të ketë të drejtën për të kërkuar informata shtesë nga komunat pjesëmarrëse që mund të jenë relevante për ushtrimin e këtij funksioni. Duhet të ketë të drejtën të kërkojë informata zyrtare nga autoritetet qendrore në lidhje me ushtrimin e këtyre funksioneve.

7. Në ushtrimin e mbikëqyrjes së plotë në fushën e planifikimit rural dhe urban, Asociacioni/Bashkësia duhet të jetë plotësisht në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet relevante të Republikës së Kosovës. Rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushat e kompetencave të tyre, duhet të jetë i kufizuara te sigurimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet, siç specifikohet me nenin 124.7 të Kushtetutës, duhet të aplikohet “mutatis mutandis” në lidhje me vendimet e Asociacionit/Bashkësisë.

f. miraton masat për përmirësimin e kushteve për kthim të të zhvendosurve në Kosovë. Asociacioni/Bashkësia përmbush këtë objektiv përmes kryerjes së funksioneve si më poshtë:

Lehtësimi i bashkëpunimit ndërmjet komunave pjesëmarrëse në dobi të atyre që kthehen
Financimi i zgjidhjeve të banimit për të kthyerit në Kosovë në komunat pjesëmarrëse
Ndërlidhja me të zhvendosurit dhe identifikimi i nevojave të veçanta që duhen adresuar në kontekstin e kthimit dhe zgjidhje të tjera të qëndrueshme për komunat pjesëmarrëse në termat e përmbushjes të këtyre nevojave brenda kompetencave të tyre ligjore.
Ndërlidhja dhe bashkëpunimi me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe institucione të tjera qendrore në përputhje me zbatimin e strategjive përkatëse dhe dokumenteve rregulluese për kthimin, aq relevante për zbatim nga komunat pjesëmarrëse
Ofrimi i këshillave dhe udhëzimeve për komunat pjesëmarrëse në aspektin e politikave dhe masave për integrimin socio-ekonomik të të kthyerve.
Financimi i programeve të integrimit socio-ekonomik për të kthyerit në komunat pjesëmarrëse. Asambleja/Bashkësia po ashtu ofron forma të tjera financimi dhe asistencë materiale për të kthyerit, përfshirë ato jashtë komunave pjesëmarrëse.
Ofrimi i këshillave për komunat jopjesëmarrëse në lidhje me politikat dhe masat e tyre për të kthyerit.
Ofrimi i këshillave për autoritetet qendrore në lidhje me legjislacionin, politikat, strategjitë dhe masat në mbështetje të të kthyerve.
Lehtësimi i kthimit dhe ofrimi i formave të tjera të zgjidhjeve të qëndrueshme për kthimin e personave të zhvendosur në komunat pjesëmarrëse nga zonat e tjera të Kosovës.

8. Për kryerjen e funksioneve të definuara më lartë, Asociacioni/Bashkësia duhet rregullisht të pranojë dokumente të prodhuara nga autoritetet e lidhura me kthimin të komunave pjesëmarrëse dhe do të ketë të drejtë të kërkojë informacione shtesë nga komunat pjesëmarrëse si relevante për kryerjen e këtij funksioni. Po ashtu, do të ketë të drejtë të kërkojë informacione zyrtare nga autoritetet qendrore relevante për të kryer këto funksione.

9. Në përmbushjen e këtij objektivi, Acoacioni/Bashkësia do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloreve relevante të Republikës së Kosovës. Shqyrtimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin se është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin e Republikës së Kosovës, siç thuhet në Nenin 124.7 të Kushtetutës, do të zbatojë ‘mutatis mutandis’ në lidhje me vendimet e Asociacionit/Bashkësisë.

g. Kryen, koordinon dhe lehtëson aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit. Në përmbushjen e këtij objektivi dhe në përputhje me aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit të shënuara më lartë, Asociacioni/Bashkësia do të kryejë çdo aktivitet tjetër kërkimor dhe zhvillimor që konsiderohet i nevojshëm nga komunat pjesëmarrëse, ashtu siç mund të jetë relevant për nevojat e tyre individuale ose ato të ndërlidhura me bashkëpunimin ndërkomunal.

h. Promovon, përhapë dhe avokon çështjet e interesit të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata, përfshirë tek autoritetet qendrore. Në përmbushje të këtij objektivi dhe krahas aktiviteteve të përcaktuara sipas objektivave të mësipërm, Asociacioni/Bashkësia do të promovojë dhe avokojë çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe do t’i përfaqësojë ata pranë autoriteteve qendrore, siç kërkohet nga anëtarët. Në përmbushje të këtij funksioni, Asociacioni/Bashkësia nuk do të minojë apo anashkalojë kompetencat e komunave të parashikuara me kushtetutë dhe ligj, dhe kanalet e komunikimit, raportimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe autoriteteve qendrore ose ndërmjet banorëve dhe autoriteteve qendrore.

i. Ofron shërbime për anëtarët e saj në përputhje me ligjin e Kosovës. Në përmbushje të këtij objektivi dhe në përputhje me shërbimet e përshkruara më sipër, Asociacioni/Bashkësia do të ofrojë shërbime të tjera që mund të kërkohen nga anëtarët e saj ose shoqatat e komunitetit lokal të komunave pjesëmarrëse, në linjë me ligjet relevante dhe pa minuar apo anashkaluar kompetencat e parashikuara kushtetuese dhe ligjore, kanalet e komunikimit, raportimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe autoriteteve qendrore ose ndërmjet banorëve dhe autoriteteve qendrore.

j. Ofron shërbime publike për anëtarët e vet dhe banorët për të mbështetur Asociacionin/Bashkësinë në formimin e qëndrimeve me interes të përbashkët për pjesëmarrje në punën e autoriteteve qendrore. Për kryerjen e këtij funksioni, Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të kërkojë informacione zyrtare nga komunat dhe autoritetet qendrore relevante për qasje në shërbime publike. Këto vendime do të përdoren si udhëzues për autoritetet e komunave dhe institucionet qendrore sa i përket përmirësimit të shërbimeve publike, si dhe formulimit të qëndrimeve me interes të përbashkët të anëtarëve ose banorëve të vet në përputhje me punën e autoriteteve qendrore, sa i përket çështjeve të lidhura me shërbimet publike.

k. Kryen monitorimin sipas nevojës për zbatimin e objektivave të tij. Në përmbushje të objektivit të monitorimit, Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtën të kërkojë informacion zyrtar nga anëtarët e tij në të gjitha fushat e mbuluara nga objektivat e listuara më sipër.

l. Vendos marrëdhënie dhe lidh marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera komunale, vendore dhe ndërkombëtare, relevante për përmbushjen e objektivave të veta dhe në linjë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Neni 4

Në përputhje me objektivat e veta, Asociacioni/Bashkësia nuk do të minojë ose anashkalojë autoritetin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të komunave pjesëmarrëse, dhe në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojë apo cenojë marrëdhëniet e parashikuara kushtetuese dhe ligjore mes autoriteteve qendrore dhe lokale në Republikën e Kosovës.

Neni 5

Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë që mund të delegohen nga autoritetet qendrore në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Neni 6

1. Asociacioni/Bashkësia do të ketë këta trupa:

Asambleja e Asociacionit/Bashkësisë
Presidenti i Asociacionit/Bashkësisë
Zëvendëspresidenti i Asociacionit/Bashkësisë
Këshilli i Asociacionit/Bashkësisë
Bordi i Asociacionit/Bashkësisë
Zyra e Apelit e Asociacionit/Bashkësisë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit