Beteja publike e nisur dje me denoncimin për bllokimin e biznesit ka vazhduar edhe sot nga deputeti i PD-së, Agron Shehaj. Në një postim në Facebook, Shehaj thotë se biznesi i tij u bllokua me urdhër të Edi Ramës pas denoncimeve të tij.
“Edi Rama pranoi dje se shteti i tij policor ka bllokuar në mënyrë të paligjshme një biznes ku janë të punësuar 200 ekspertë IT-je, të cilët prej tri javësh mbahen forcërisht jashtë zyrave.
Por paligjshmëria dëshmohet edhe më e qartë në pretekstet qesharake me të cilat justifikohet kryeministri. Ajo se ndërtesa është pa leje.
Rama gënjen.
E vërteta është se kompania ime ka bërë një kontratë qeraje para noterit në përputhje të plotë me ligjin për një objekt me leje. Por nëse ndërtesa ka shkelur lejen, e kujt është përgjegjësia?
Është qeveria dhe agjencitë nën varësinë e Edi Ramës ato të cilat kanë detyrimin ligjor për të mos lejuar ndertimet pa leje dhe jo bizneset private, të cilat bëjnë kontrata të rregullta qeraje.
Ky është një pretekst banal.
Arsyeja e vërtetë e bllokimit është hakmarrja e verbër politike e Edi Ramës ndaj denoncimeve të mia për aferat e tij të rënda, që nga firma që bëri Xhaçkën investitore strategjike, resortet e kushërinjve të Gjiknurit në Butrint.
Dil dhe shpjegohu shqiptarëve, kur bëre ministren investitore dhe i dhe plazhin në Dhërmi, ishe apo jo në dijeni për kunatën e ministres Xhaçka të maskuar si investitore amerikane?” shkruan ai.
Por sot nga Elbasani, Edi Rama iu përgjigj duke i thënë se është një “ballist foltoreje. Që sa herë hap gojën na shton pikë”.
“Në vazhdën e operacionit për të bllokuar dhe konfiskuar metrat katrorë të ndërtuara pa leje nga ata në thonjëza oligarkët që na i faturojnë ne por në fakt janë këta, ka bllokuar godinën për të cilën pronarja thoshte e kam hotel, dhe brenda na gjendet një biznes të një deputeti, një ballist foltoreje, në një ndërtim pa leje.
Dakord ka hyrë atje, këta se kanë problem të shkelin ligje, sidomos me ndërtime kanë një raport patologjik se i duan pa leje, po si del në parlament dhe kap foltoren dhe fillon ‘policia, Rama, duan të më mbyllin gojën’. Po si t’i mbyllim gojën? Bën dhe viktimën e fjalës së lirë.
Dhe pavarësisht nga fakti që ne po japim një goditje përfundimtare, çojnë në Gjykatën kushtetuese ankesë. Po ç’punë ka një parti të ankohet që shteti kap disa biznesmenë në shkelje të ligjit? Shumë e thjeshtë sepse janë bashkë”, tha Rama.
Agron Shehaj denoncimin e bëri dje në parlament. Edi Rama tha se biznesi është bllokuar, pasi ishte në një godinë pa leje.
Por deputeti pasi thotë se ka kontratën e qirasë me noter, shtron pyetjen se e kujt është përgjegjësia kur godina është ngritur pa leje, e tij apo qeverisë?