Kryeministri Edi Rama nga Elbasani ka reaguar për herë të parë për vdekjen e të riut Lear Kurti në duart e policisë brenda komisariatit nr. 3. Kreu i qeverisë, tha se reagimi i shtetit ishte korrekt dhe hetimi po vazhdon. Ai akuzoi opozitën se po nxit popullin për protesta duke e barazuar rastin me të Klodian Rashës.
“Kanë qenë dje që akuzojnë policinë e shtetit që ka vrarë një djalë të ri, por policia në mënyrë më korrekte ka pezulluar personat, që të mos jenë të përfshirë, është ngarkuar agjencia që bën investigimin, është mjekësia ligjore.
Nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë, që të ketë qenë ndonjë gjë e bërë me të keq. Gjithsesi të gjithë presin përfundimin, autopsia, raporti i mjekësisë ligjore.
Por si është e mundur, cfarë lloj qeniesh janë këta që u dalin njerëzve si gogol. Thonë e vrau policia, sepse duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh të Klodian Rashës dhe duan të nxjerrin njerëzit në rrugë” tha Rama.