Disa të rinj janë grumbulluar përpara komisariatit të Lezhës mbrëmjen e kësaj të premteje në shenjë protesta kundër vdekjes së Lear Kurtit.
Njëri nga protestuesit është shprehur se i riu u rrah barbarisht nga policia.
“Sot protestojmë për vrasjen e Learit, ne jemi mbledhur këtu për të bërë homazhe për vdekjen e atij që u vra barbarisht nga policia. Nga kjo polici e cila është një polici e krimit. Mund të ishte secili nga ne në vend të Learit. Po mos të ngrihemi ne rinia, kush do ngrihet? Po mos të ngrihemi tani, kur do ngrihemi? Duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë të protestojmë për këtë vrasje makabër,” tha ai.
Gjithashtu anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike i janë bashkuar kësaj proteste duke u shprehur se praktikat e ndjekura nga qeveria po detyrojnë të rinjtë të largohen nga vendi.