-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

522 mijë euro në çatinë e autobusit, Policia: U gjetën edhe mallra kontrabandë. Në pranga Elidon Çela dhe 2 të tjerë!

Kryesoret

Një sasi prej qindra mijëra eurosh është gjetur mesditën e kësaj të premteje. Ato ishin të fshehura në një autobus që vinte në Portin e Durrësit nga Bari i Italisë.

Bëhet fjalë për një sasi prej 522 mijë euro të padeklaruara që ishin fshehur në tavanin e autobusit. Saktësisht, pranë impiantit të kondicionerit. Mësohet se është arrestuar pronari, njëkohësisht edhe shoferi i autobusit, Elidon Çela. Po ashtu janë ndaluar edhe disa persona të tjerë, por nuk dihet konkretisht emri dhe roli i tyre.

Ky operacion i organizuar nga Policia Kufitare dhe Drejtoria e Doganave, ka ardhur si rezultat i një hetimi njëmujor. Autobusi me targa AA 633 FZ ishte me pasagjerë.

Eurot ishin në prerje të ndryshme, 10, 20, 50 dhe 100 euro të ndara në 6 qese plastmasi, marketi. Autobusi u fut në skaner, me anë të së cilit u bë e mundur zbulimi i sasisë së eurove.

Policia njofton se janë gjetur gjithashtu mallra kontrabandë. Ato përfshijnë kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje.

Ndërkohë, vetë Çela ka mohuar që të ketë lidhje me eurot e gjetura dhe me mallrat e tjera kontrabandë. 

“S’kam lidhje. Kërkoj avokatin tim mbrojtës. Vetëm në prani të tij do të flas për policinë”, ka deklaruar shoferi.

Kush është Elidon Çela?

Elidon Çela është pronar i agjencisë së transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje dhe Padova. Ai nuk është një emër i panjohur për policinë.

Kjo sepse edhe më herët është kapur duke transportuar para të padeklaruara. Ai është kapur disa herë edhe duke sjellë në Shqipëri mallra të vjedhura.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Eurot”.

Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe autoritetet doganore në portin e Durrësit.

Sekuestrohen rreth 522 000 euro të padeklaruara dhe mallra të kontrabanduara (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje). Vihen në pranga drejtuesi i autobusit ku u gjetën shuma e eurove dhe mallrat, si dhe 2 ndihmësit e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një hetimi njëmujor në lidhje me tentativën për të futur një sasi të madhe eurosh të padeklaruara dhe mallra të kontrabanduara, në vendin tonë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrësit dhe autoritetet doganore në këtë port, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Eurot”.

Në kuadër të operacionit është ndaluar autobusi i linjës Padova – Lushnjë, me drejtues shtetasin E. Ç., 32 vjeç. Gjatë kontrollit paraprak, shërbimet e Policisë kanë konstatuar mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara.

Autobusi është kthyer për kontroll të specializuar, nga Task Forca permanente që përbehet nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të portit, pasi disponohej informacion nga Policia, se në brendësi të autobusit kishte të fshehura sasi të madha eurosh.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të autobusit janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 522 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me mallrat e dyshuara të kontrabanduara që u gjetën në brendësi të autobusit (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, kuti me mentesha, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje).

Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi i shtetasve:

E. Ç., 32 vjeç, banues në Lushnje, pronar dhe drejtues i autobusit; D. K., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe A. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndihmësit e drejtuesit të autobusit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimn dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit