Dy pilotë rusë kanë mbetur të vdekur pas rrëzimit të avionit të tyre dhe përplasjes me një shtëpi dy-katëshe, në rajonin e Irkutsk-ut.
Kështu ka bërë me dije guvernatori i rajonit, Igor Kobzev, në rrjetin e tij Telegram.
Ai shpjegoi në një postim për publikun se kishte qenë i pranishëm në vendngjarje dhe konfirmoi se të dy pilotët, patën mbetur të vrarë.
Nga ana tjetër, asnjë civil nuk është dëmtuar pas impaktit.
Sipas njoftimit të mëtejshëm zyrtar nga autoritetet ruse, avioni ka qenë në një fluturim testues, kur ka pësuar një avari dhe është rrëzuar.
Rënia ka qenë thuajse tërësisht vertikale dhe pa mundësi shpëtimi.
Disa video të publikuara në media sociale, shfaqin avionin në rënie me një shtëllungë tymi, e cila lihej pas në ajër.
Një komitet i posaçëm hetimi ka nisur mbi ngjarjen, e cila bëhet tashmë e dyta në pesë ditë, me aksidente ajrore në Rusi.
Pesë ditë më parë, një avion ushtarak u përplas me një pallat në një zonë rezidenciale në Yeysk.
Në atë ngjarje, 15 persona mbetën të vrarë, por pilotët shpëtuan pasi arritën të hidheshin me parashutë përpara impaktit.