-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Biznesi kundër qeverisë për paketën fiskale: Ul taksat

Kryesoret

Paketa fiskale 2023, e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka rikthyer, edhe një herë, debatin për uljen e taksave për bizneset, me qëllim që të përballohen efektet e krizës globale të rritjes së çmimeve.

Njëzëri, Dhoma e Tregtisë së Tiranës (DHTT),  Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Ndërtuesve, Qendra e Eksporteve, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës kundërshtuan paketën e re fiskale të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Dhoma  e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe Shoqatat e biznesit, vlerësojnë  se paketa e re fiskale nuk i ndihmon bizneset në përballimin e krizës së rritjes së çmimeve.

Kryetari i DHTT, Nikolin Jaka, nënvizoi se ndryshimet fiskale për rritjen e gjobave, ndryshimet për unifikimin e akcizës te birra dhe pijet alkoolike vijnë në një kohë kur prodhuesit po përballen me rritje të kostove që shkojnë mbi 50%. Sipas tij, masat e reja fiskale thellojnë rëndimin e situatës ekonomike në Shqipëri dhe rrezikojnë falimentimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, të cilat ende vuajnë pasojat e tërmetit të 2019-s dhe pandemisë.

Shoqatat e biznesit, në këtë situatë krize që po kalon vendi, si rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pasojave negative që po krijohen nga rritja e çmimeve në tregun global, rekomanduan të ndërmerret një paketë e strukturuar e mbështetjes financiare, për të përballuar rritjet e kostove të prodhimit dhe për t’i dhënë sipërmarrjes  frymëmarrje dhe mbështetje financiare që është e domosdoshme për kthimin sa më parë në normalitet të saj.

Shoqatat e biznesit kërkojnë që, në këtë periudhë krize, kur prodhuesit janë të varur nga importi i lëndëve djegëse dhe të para ndihmëse, të ekspozuar dhe të pambrojtur nga koniunkturat e çmimeve në bursat ndërkombëtare, të ndërmerret ulja e taksave.

Ndër propozimet kryesore të tyre janë heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet që lidhen për investimet. Heqjen e akcizës së gazit që hyri në fuqi nga 1 korriku 2022. Për sipërmarrësit, niveli i akcizës 6 lekë për litër te gazi rrit kostot për shpenzime nga 10 deri në 20%. Të hiqet taksa e qarkullimit të karburantit për industrinë e ndërtimit, si dhe të hiqet taksa e pasurive për ndërmarrjet prodhuese.

Përpunuesit e qumështit, të cilët prej muajsh vuajnë shtimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të qumështit dhe të energjisë (për prodhuesit e lidhur me tensionin e lartë 35 volt, çmimi i energjisë nga 1 tetori arriti 59,5 lekë për kWh, 75% më shumë se janari 2022), përsëritën kërkesën për subvencionim direkt 10 lekë për litër qumësht. Skema kombëtare subvencionon fermerët e mbështetur te prodhimi i qumështit për krerë bagëtie.

Përpunuesit thonë se skema aktuale nuk arrin të ndihmojë sektorin, në një kohë kur problematikave të pazgjidhura ndër vite në blegtori, iu shtua në vitin 2022 edhe rritja e kostove nga heqja e skemës së TVSh-së të rimbursueshme.

Përpunuesit më herët kanë pohuar se situata është më e vështirë se në 2019-n, kur TVSH-ja që kompensohej, u ul nga 20% në 6%. Me ndryshimet fiskale të paketës së mëparshme, nga 1 janari fermerëve iu ngarkua edhe 10% i TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të importit, që prej 2018-s nuk taksoheshin.

Bizneset kërkuan gjithashtu edhe krijimin e një fondi garancie për kreditimin e industrive prodhuese me afat 5-vjeçar, për një periudhë mospagimi deri një vit me interesa 1%.

Zbatimi i amnistisë fiskale u mbështet edhe nga shoqatat e biznesit, por me kushtin që nëpërmjet ligjit të garantohet që pas implementimit, konkurrenca e bizneseve të ndershme të mos dëmtohet nga informalët.

Paketa fiskale e vitit 2023 nuk sjell ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve, përveçse i rrit se tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve dhe unifikon akcizën për industrinë e birrës dhe pijeve alkoolike.

Një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore synon dhjetëfishim të gjobave për moslëshimin e faturave për furnizim, pagesë apo pranim të mallrave apo shërbimeve në rastet e parashikuara në germën a, të pikës 3, të nenit 123 për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ.

Sipas ndryshimeve të propozuara, “për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ ishte 150,000 lekë, bëhet 1,500,000 lekë.” Ndryshimet parashikojnë rritjen e penaliteteve për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.

Në legjislacionin aktual, penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit. Në ndryshimet e reja, bëhet 200% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100% të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimi vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit