Kievi ka akuzuar Rusinë se ka vonuar më shumë se 165 anije mallrash, që janë nisur drejt porteve ukrainase për t’u furnizuar me grurë, sipas një marrëveshjeje që është ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.
Inspektorët rusë “kanë vonuar me qëllim inspektimet e anijeve”, ka thënë Ministria e Jashtme ukrainase përmes një deklarate më 24 tetor.
“Si rezultat, më shumë se 165 anije janë bllokuar afër Ngushticës së Bosforit, dhe ky numër po vazhdon të rritet çdo ditë”.
Anijet e mallrave që bartin grurë dhe ushqime tjera, në dhe nga portet ukrainase, duhet të inspektohen nga ekipet e organizuara prej Qendrës së Përbashkët të Koordinimit, një grup i krijuar sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Ukraina dhe Rusia, nën ndërmjetësim të OKB-së dhe Turqisë.
Marrëveshja është nënshkruar pasi ka pasur shqetësime se bllokimi i grurit ukrainas mund të kontribuojë në krizë globale ushqimore.