Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi ka dorëzuar sot një projektligj për Reformën Territoriale. Bylykbashi tha se projektligji i dorëzuar sot propozon 97 bashki.
Gjithashtu ai tha se mundësia për të gjetur gjuhën e përbashkët me grupin e Alibejat është, pasi të dy propozimet janë shumë të përafërta.
“Propozimi është që zgjedhjet e ardhshme të bëhen në bazën e kësaj ndarje me 97 bashki. Numri i bashkive që propozojmë është ai që i jep hapësirën më të madhe komuniteteve lokale.
S’ka rëndësi çmendon qeveria, por çfarë duan njerëzit atje poshtë. Reforma e vitit 2014 ka provuar në të gjithë aspektet e saj që të jetë një dështim lapidar me kosto të madhe. Njerëzit janë larguar se nuk ka më shërbime. Propozimi ynë do të ndjekë rrugën legjislative, kërkon 84 vota.
Është një tjetër draft me 94 bashki, mundësia për të gjetur gjuhën e përbashkët është sepse propozimet janë shumë të ngjashme”, tha Bylykbashi.
Kujtojmë që PD-ja e Alibejat dorëzoi draftin për shtimin e 33 bashkive, nga 61 që janë aktualisht, në 94. Ndërsa drafti i dorëzuar sot nga grupi i Berishës kërkon 3 bashki më shumë.