Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka kërkuar një takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak të çështjes së targave.
Sipas kësaj partie, më 1 nëntor Kosova po planifikon “të konfiskojë pronat e qytetarëve tanë dhe makinat me targa serbe”.
Më 31 tetor pritet të skadojë afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.
Besohet se afër 10.000 makina me targa me akronime serbe të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ, PR qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.
Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa të tilla nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit.
“Deklaratat e fundit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit, qartazi janë tregues se nuk ka vullnet në Prishtinë për të gjetur zgjidhje dhe kompromis, por vetëm dëshirë për të shkaktuar kriza dhe tensione, veçanërisht në veri të Kosovës dhe Metohisë. Populli serb në Kosovë i beson shtetit të tyre, Serbisë, dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, dhe kërkojmë që të takohemi për t’u përballur me sfidat që na presin”, u tha në deklaratën e Listës Serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit të makinave./REL