Kreu i PD-së i është kundërpërgjigjur ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën.
Ky i fundit është shprehur se vendimi për shpalljen “non grata” të Sali Berishës nuk ishte politik por institucional.
Berisha në përgjigjen e tij ka shkruar se ajo që Eskobar ka deklaruar është një shpifje dhe sërish nuk ka asnjë provë për vendimin e SHBA-ve.
Kreu i demokratëve ka shtuar se kjo është rezultat i lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros.
“Meqënëse z. Eskobar në mënyrë të përsëritur u bën thirrje institucioneve shqiptare të krijuara nga reforma sorosiane të hetojnë akuzat ndaj meje; unë i bëj thirrje atij të respektojë minimalisht kërkesat që ju vijnë nga kongresi për të bërë transparencë për këtë vendim të bazuar totalisht mbi shpifje!
Në deklaratën e tij z Eskobar thotë se vendimi nuk ka qenë politik, por në fakt, jo vetëm mungesa e fakteve dhe e transparencës por mbi të gjitha, instrumentalizimi i këtij vendimi është prova më e fortë e substancës, qëllimit madje dhe aktorëve politikë që qëndrojnë pas tij!” ka shkruar Berisha.
Ai ka shtuar se e gjitha kjo u bë që ai të mos hynte në parlament dhe se Rama me ndihmën e Sorosit ka 10% më shumë pushtet se diktatori Hoxha.