Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ashpër ndaj djegies së veturave në veriun e vendit. Në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Osmani tha se Kosova është në luftë kundër bandave, duke aluduar strukturat ilegale në veri.
“Pakica që nuk i ka konvertuar targat, është për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme. Lufta jonë është kundër bandave. Në luftën tonë për sundim të ligjit, presim të kemi përkrahje të aleatëve tanë”, tha Osmani.
Ndërsa Von Der Leyen u shpreh se veprimet e tilla po bëhen nga persona që janë në listën e zezë të Amerikës.
“Sa i përket targave, tema që duhet të diskutohet sot është pak më ndryshe. Qytetarëve serbë që po e zbatojnë ligjin, po i konvertojnë targat në RKS, po iu djegen shtëpitë, makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale e kriminale të personave që janë në listën e zezë të Amerikës, janë temë e sundimit të ligjit. Kosova është konfirmuar si shtet me më së shumti reforma në Evropë, dhe reformuesi i dytë në botë. Kjo tregon që veprimet tona kanë qenë të drejta. Asesi kundër qytetarëve serbë. Por vetë fakti që 90% të serbëve i përdorin targat legale, është dëshmi që ky vendim nuk është kundër qytetarëve serbë”, theksoi presidentja e vendit.
Këto komente vijnë pas djegieve që iu janë bërë dy makinave që kanë konvertuar targat RKS./Express