SPAK mbylli hetimet dhe çoi sot në gjyq dosjen në ngarkim të biznesmenit Rezart Taçi. SPAK deklaron se Rezart Taçi, së bashku me Artur Ballën dhe Bledar Lilon, në bashkëpunim me italianët Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, kanë organizuar një skemë komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme 18 mln euro.
Por kush është Rezart Taçi për të gjithë ata që e kanë harruar?
Rezart Taçi njihet si mik i pushtetarëve tepër të lartë në Shqipëri. Me hapjen e pikave të “Taçi Oil”, pronari Rezart Taçi, që në mediat e huaja etiketohet si “manjati i naftës në Shqipëri”, ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozitat në Shëngjin dhe vende të tjera. Gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër ai bleu ARMO-n, gjigantin e përpunimit të naftës në Shqipëri.
Ai u kthye në një nga biznesmenët kryesorë për karburantet. Taçi bleu pas disa kohësh dhe një ndër televizionet më të rëndësishme të kohës, “TV Alsat”. Ai mori goditjen finale në vitin 2013 kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve ARMO.
Në vitin 2016 Taçi u arrestua në Zvicër me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Ky hetim kishte nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin panamez me emrin “Ëallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”. Të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.
Por Taçi njihet për lidhjet në nivele shumë të larta të politikës së këtyre 30 viteve. Taçi kishte blerë edhe ekipin italian Parma dhe me 6 shkurt 2015 tërhiqet nga ky klub futbolli italian. Sportëdashësit e kujtojnë edhe për faktin që solli ekipet e Realit të Madridit dhe Milani në Shqipëri.
Akuzat nga Italia për 362 milion euro
Mediet italiane dy vite më parë shkruan se biznesmeni Rezart Taçi depozitoi 362 milionë euro në Singapor. Po sipas medieve italiane shuma e madhe u depozitua në një bankë, ku ka zyrat edhe kompania “Vetro Energy”, me të cilën ai dështoi të merrte kompaninë shtetërore të naftës, Albpetrol. Vitin e kaluar, SPAK e shpalli në kërkim. Ai deklaroi se do të dorëzohej vetë, por një gjë e tillë nuk ndodhi.