Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shupenzë, Bulqizë në një bashkëbisedim me fermerët te tregu i ri i produkteve bujqësore e blegtorale, një hapësirë funksionale për fermerët e zonës. Gjatë bisedës me qytetarët, Edi Rama vlerësoi punën e bashkisë së drejtuar nga Lefter Alla.
“Kryetari i bashkisë meriton që të përgëzohet sepse është ndër të paktët, që ka kuptuar që bashkia nuk është vetëm qyteti dhe që bashkia në raport me fshatin nuk mund të jetë vetëm një autoritet që merret vetëm me rrugë, por duhet të futet më thellë” tha ai. A është ky një konfirmim për rikandidim? Kjo mbetet për t’u parë.
Dy fjalë Rama i kishte edhe për Rrugën e Arbrit. “Te Tuneli i Murrizit ka dalë një problem gjeologjik, kështu është gjeologjia, i kanë punët publike dhe tunelet këto. Ecet me një metër në ditë. I kemi dhënë kompanisë më shumë kohë, nuk kemi cfarë të bëjmë” tha ai.