Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, tha se paqja dhe shtensionimi i tensioneve janë detyra kyçe për të gjithë.
Më 28 tetor, Vuçiq u takua në Beograd me kreun e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Tob Bauer. Siç njoftoi presidenti serb përmes llogarisë së tij në Instagram, shteti i tij vazhdon të jetë neutral në aspektin ushtarak, por do të vazhdojë të ketë “bashkëpunim korrekt” me NATO-n.
Takimi midis Vuçiqit dhe admiralit Bauer vjen katër ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës.
Serbët në veri të Kosovës kryesisht përdorin targa KM (Mitrovica e Kosovës), që Kosova i konsideron ilegale. Prishtina ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, të gjithë qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS – Republika e Kosovës.
Besohet se në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) janë afër 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia, dhe sipas shifrave të fundit, vetëm 20 prej tyre janë riregjistruar në RKS.
Kryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – më 27 tetor paralajmëroi se do të vendosen bllokada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskojë targat dhe makinat e serbëve.
Kosova ka thënë se pas kësaj date, makinat me targat e lëshuara nga Serbia nuk do të mund të qarkullojnë brenda territorit të shtetit, e as të kalojnë kufirin.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj, por sipas zyrtarëve në Uashington, Prishtina ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese./REL