Shtëpia e Bardhë thotë se administrata e presidentit Biden mbështet popullin e Iranit dhe të drejtën e tyre për protesta paqësore. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, SHBA gjithashtu vlerëson Irani dhe Rusia mund të jenë duke bashkëpunuar për të shtypur protestuesit iranianë.
Kanë kaluar më shumë se 40 ditë që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, që humbi jetën në spital pasi u ndalua nga “policia e moralit” e Teheranit me akuzën se nuk e mbante si duhet hixhabin.
Pas vdekjes, Amini është bërë simboli i protestave antiqeveritare në të gjithë Iranin dhe protesta solidariteti në mbarë botën, si kjo në Berlin dhe kjo në Saqez të Iranit, tek vendi ku ajo është varrosur.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se ka mundësi që Rusia po ndihmon Iranin për të shtypur protestat.
“Ne jemi të shqetësuar se Moska mund të këshillojë Iranin për praktikat më të mira për të menaxhuar protestat, duke u mbështetur në përvojën e Rusisë në shtypjen e demonstratave”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Këtë shqetësim e ka edhe eksperti i Institutit të Lindjes së Mesme, Alex Vatanka.
“Është e lehtë të thuash, ‘regjimi iranian ka vetë përvojë prej disa dekadash në shtypjen e protestave. Ata me siguri nuk kanë nevojë për ndihmën e Rusisë’. Por, ka gjëra të tjera, me të cilat rusët mund të ndihmojnë regjimin iranian, veçanërisht kur është fjala në sabotimin e qasjes së publikut iranian në internet dhe mjete të tjera komunikimi”, vlerësoi zoti Vatanka./VOA