Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, shtyrjen e zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, në një përpjekje për të shmangur tensionet në veri, ndërsa përfaqësuesit e serbëve ne zonë kanë paralajmëruar veprime për kundërshtimin e këtij vendimi.
“Bisedova sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja për targat, pa konfiskim apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për çuarjen përpara të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, shkroi zoti Chollet në Twitter.
Duke i bërë jehonë postimit të zotit Chollet, ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, shkroi se “është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për targat.
Po ashtu, ne dënojmë veprimet frikësuese apo hakmarrëse ndaj tyre që kanë konvertuar targat e tyre”, shkroi ambasadori Hovenier, duke ju referuar incidenteve në veriun e Kosovës ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tri raste të djegies së makinave dhe dëmtimit të pronave të qytetarëve serbë, që kanë konvertuar targat e makinave./VOA