Me moton “Zbulimi i hershëm, mbijetesë” në Prishtinë më 28 tetor u mbajt manifestimi i 16-të me radhë i “Ecjes për shërim”, ku të pranishmit theksuan se kontrollet e shpeshta mjekësore rritin shanset për mposhtjen e kancerit në gji.
Ky manifestim, që u pasuan me një marsh në rrugët e Prishtinës, u organizua nga Qendra kosovare për luftimin e kancerit të gjirit Jeta-Vita. Këtë vit, ngjarja u mbajt nën patronazhin e Presidencës së Kosovës.
Nafije Latifi, e mbijetuar e kancerit të gjirit, njëherësh organizatore e manifestimit, kërkoi që pacientët e prekur me kancer në gji të përkrahen më shumë nga institucionet sepse tha se suksesi mund të arrihet “me më shumë shërbime shëndetësore, barna, pajisje e të tjera”.
Përderisa tha se Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës është “histori suksesi në shëndetësinë kosovare”, ajo kërkoi që të ndërtohet një qendër për pacientët në fazën terminale të sëmundjes.
“Por, në këto arritje nuk mund të lë pa përmendur dhimbjen më të madhe: mungesën e qendrës për trajtim paliativ për pacientët në faza terminale të sëmundjes që mbeten nën përkujdesjen e familjes, pa pasur ndihmën për një përfundim më të dinjitetshëm”, tha ajo.